Përfshirja e prindërve në jetën e shkollës

Shkruar nga : Anid Shazivari

Published in 31/08/2023

Përfshirja e prindërve është mjaft e rëndësishme në procesin e të mësuarit të fëmijëve, në mendimin e tyre për shkollën dhe në aspiratat e tyre. Fëmijët janë nxënës më të suksesshëm përgjatë gjithë shkollës nëse prindërit e tyre përfshihen në shkollë dhe inkurajojnë të mësuarit në shtëpi, pavarësisht nga niveli arsimor apo shoqëror i tyre.

image

Përfshirja e prindërve në shkollë: Kjo mund të përfshijë përfshirjen aktive të prindërve ose pjesëmarrjen në aktivitetet e organizuara nga shkolla, përfshirë pjesëmarrjen në takime prindër-mësues, pjesëmarrje në aktivitete shkollore (vullnetarizëm), ose komunikim të rregullt me mësuesit. Gjithashtu programet e bashkëpunimit dhe partneritetit shkollë-familje-komunitet dhe praktikat e mësuesve në lidhje me përfshirjen e prindërve kanë efekte mjaft pozitive në aftësitë e prindërve për t’i ndihmuar fëmijët e tyre përgjatë viteve të shkollës: në vlerësimin e prindërve për aftësitë e mësuesve dhe cilësinë e mësimdhënies: në opinionin e mësuesve për mundësitë e prindërve për të ndihmuar fëmijët e tyre me detyrat e shkollës në shtëpi dhe në mendimin e nxënësve për shkollën. Partneriteti shkollë-familje-komunitet përmirëson programet shkollore dhe klimën në shkollë, ofron shërbime dhe mbështetje për familjet, rrit aftësitë e prindërve dhe rolin drejtues të tyre, krijon lidhje midis prindërve në shkollë dhe komunitet dhe ndihmon mësuesit në punën e tyre. Kur mësuesit e bëjnë përfshirjen e prindërve pjesë të praktikave të përditshme të mësimdhënies, prindërit rrisin bashkëveprimin me fëmijët e tyre në shtëpi, kanë ndjesi më pozitive për aftësitë e tyre për t’i ndihmuar fëmijët e tyre, kanë vlerësim më të lartë për mësuesit në përgjithësi dhe nxënësit përmirësojnë qëndrimin dhe arritjet e tyre. Ka një lidhje domethënëse ndërmjet rezultateve të fëmijës në shkollë dhe faktit nëse prindërit e tyre janë të përfshirë ose jo në jetën e shkollës. Prindërit që përfshihen në jetën e shkollës kanë shpresa dhe aspirata më të larta për arsimimin e fëmijëve të tyre dhe presin që fëmija të arsimohet. Bashkëpunimi prind-shkollë është gjithashtu një tregues i cilësisë së punës së shkollës dhe mësuesit. Në një marrëdhënie me cilësi të lartë midis prindërve dhe shkollës, bashkëpunimi shihet në shoqërizimin dhe respektimin e dallimeve kulturore midis familjeve, dhe për këtë arsye ofron perspektiva të ndryshme për krijimin e kulturës pozitive të shkollës. Pse përfshirja e prindërve është e rëndësishme: Përfshirja dhe angazhimi i prindërve në shkollë ka rëndësi tani më shumë se kurrë sepse është në rënie . Prindërit tani preferojnë metoda të komunikimit në distancë, si portalet në internet, dhe ata kanë më pak mundësi të marrin pjesë në takimet prindër-mësues ose aktivitete shkollore. Ndërsa mjetet digjitale mund të ndihmojnë familjet të qëndrojnë të informuara, nxënësit humbasin kur prindërit nuk ofrojnë kohën dhe mbështetjen e tyre. Kur prindërit dhe mësuesit punojnë së bashku për të krijuar një klimë pozitive, efekti tek nxënësit e tyre është i thellë. Nxënësit me prindër të angazhuar nuk kanë vetëm rezultate të larta në mësime: rritet pjesëmarrja e tyre, vetëvlerësimi dhe bashkëpunimi. Marrëdhëniet prind-mësues janë më shumë se një përfitim opsional në klasë. Ato janë kryesore për të ndihmuar nxënësit në një nivel personal dhe në klasë të arrijnë potencialin e tyre akademik.